Facebook ka deklaruar së fundmi se rrjetet sociale janë të dëmshme për shëndetin mendor, por sipas tij, kura ndaj kësaj ‘sëmundjeje’ është të postosh më shumë.
David Ginsberg, drejtor i studimeve sociale të Facebook dhe ekspertja Moira Burke, kanë pranuar se Facebook i bën përdoruesit e tij të ndihen keq me veten e tyre, duke shkaktuar depresion dhe vetvlerësim të ulët.
Një person, i cili është duke naviguar në rrjetet sociale nga telefoni apo kompjuteri i tij, ndeshet vazhdimisht me postime të ndryshme, si përshembull, të një personi që sapo është martuar apo të dikujt tjetër që po shijon pushimet dimërore në Maldives. Duke parë këto jetë perfekte që paraqiten në Facebook, nuk janë të paktë njerëzit që kanë një ulje të thellë të vlerësimit për jetën e tyre.
Pikërisht për këtë temë dhe pasojat e saj, ka folur edhe Ginsberg, i cili ka deklaruar se për t’u ndjerë më mirë njerëzit duhet ta përdorin këtë rrjet social për të folur me miqte dhe për të ndarë eksperiencat e tyre.
“Në përgjithësi, njerëzit harxhojnë një kohë të madhe duke marrë informacion nga të tjerët, pa shpërndarë asgjë rreth vetes së tyre dhe si pasojë, ata fillojnë të ndihen keq. Ajo çfarë duhet të bëjnë të gjithë përdoruesit e Facebook për mos t’u ndjerë keq me veten e tyre, është të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ne u ofrojmë: Flisni me miqtë tuaj, shpërndani foto e ndodhi të rëndësishme nga jeta juaj, komentoni midis njëri-tjetrit dhe më pas, do ta shihni se sa të lumtur do të ndiheni.”, është shprehur ai.
Gjithashtu, David ka bërë të ditur se Facebook është duke punuar për të sjellë disa përditësime, të cilat do t’i lejojnë përdoruesëve të tij që të personalizojnë kryefaqen e tyre dhe të bllokojnë postimet që ata mendojnë se mund t’u sjellin një impakt negativ.