Ronaldo Schemidt, fotografi i AFP-së, ka fituar çmimin për “Foton e Vitit” gjatë “World Press Photo 2018”.
Fotografia e shkrepur nga Schemidt është bërë vitin e kaluar gjatë përplasjeve mes forcave të sigurisë dhe kundërshtarëve të presidentit venezulian, Nicolas Maduro.
Sipas jurisë, ata e kanë përzgjedhur këtë imazh pasi simbolizon një vend që digjet dhe ajo shkakton një emocion të menjëhershëm sapo dikush e sheh.
E bërë më 3 maj 2017, Ronaldo ndodhej në Venezuelë, kur protestuesit ishin duke sulmuar një motor të Gardës Kombëtare, serbatori i të cilit ka shpërthyer papritur në fytyrën e Jose Victor Salazar Balza, një manifestues 28 vjeçar.
“Ndjeva zjarrin pas kurrizit tim dhe reagova instiktivisht. E kam shkrepur foton pa e ditur se çfarë po fotografoja. Vetëm pas disa sekondave kam kuptuar se ishte dikush që po digjej”, është shprehur Ronaldo.
Nga çfarë është mësuar më vonë, manifestuesi që shihet në foto me zjarr në fytyrë, ka pësuar djegie të rënda, por ka mbijetuar.
Çmimi është dhënë ditën e djeshme në një ceremoni të zhvilluar në Amsterdam, ku gjatë fjalës së mbajtur, fotografi u shpreh se “Për momentin, nuk kam menduar se do të fitoja çmim me këtë foto, “Isha vërtet i tronditur dhe nuk e kisha menduar kurrë se do të asistoja në diçka kaq të dhunshme”.