Art & Kulturë

Zbulohet kodiku i panjohur muzikor shqiptar i shekullit të XIX

Një kodik muzikor i panjohur më parë është bërë publik ditën e djeshme nga Arkivi Qëndror i Shtetit.

I ruajtur në mesin e “Koleksion dokumentesh përpara vitit 1912” si shtesë fondi e vitit 1989, sipas specialistit Sokol Fuga, ky dorëshkrim është vendosur gabimisht në këtë koleksion, pasi duhet të ishte rregulluar tek “Koleksioni i Kodikëve”.

“Arkivistët ndoshta nuk e kanë kuptuar se bëhet fjalë për një dorëshkrim të asaj kategorie e ndaj e kanë ngatërruar. Theksojmë se është koha kur Theofan Popa, një nga të paktët studiues bizantinistë të kohës dhe i vetmi që ishte marrë me kodikët, nuk jetonte më”, është shprehur Fuga mbi këtë gjetje.

Ky kodik muzikor është “vëllai” i kodikëve të tjerë të Beratit, edhe pse fizikisht nuk është vendosur pranë tyre. Ai është një dorëshkrim në letër me 102 fletë, prodhuar në mes të shekullit të XIX dhe ka përmasat 230 x 160 mm, ku përmban tekstin e Triodit dhe Pesëdhjetores e muzikë bizante.

Personi që e ka shkruar këtë kodik, “kopisti” mbetet anonim. Sipas një shënimi që i përket 6 marsit 1879, në anën e brendshme të kapakut të kodikut, ai ka qenë pronë e të Përndershmit Priftit Mihal Jorgo Vutziani.

Në materialin mështjellës të vendosur nga AQSh është shënuar “Serafin Xhuveri, 1983”, me gjasë data e dhurimit apo shitjes së kodikut në AQSh.

Sokol Çunga njofton se së shpejti këtë kodik, bashkë me të tjera thesare të fondeve më pak të njohura të AQSh, do t’i paraqesin në një ekspozitë, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. (Foto: AQSh)

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).