Art & Kulturë

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”

Gjiri i Vlorës do të presë më datat 4-6 korrik, edicionin e nëntë të Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”, “Trofeu i Mikpritjes”, regata FIV, shprehet Ambasada italiane ne Tiranë.

Kjo ngjarje lindi me edicionin e parë te vitit 2011, 20 vite pas zbarkimit në Brindisi të refugjatëve shqiptarë, për të kujtuar dhe përshkuar atë rrugë me një qëllim dhe domethënie të re, shenjë e miqësisë që lidh dy brigjet e detit Adriatik.

Po ashtu Ambasada italiane publikon axhendën e aktiviteteve.

Në këtë edicion marrin pjesë 24 barka, përfshirë edhe dy anije ushtarake me vela, përkatësisht ajo e Guardia di Finanza dhe e Forcës Detare ushtarake italiane: Gjiri i Vlorës do të mbushet me vela!

Të shtunën, datë 6 korrik, do të zhvillohet edicioni i dytë i regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”: qytetarët e Vlorës dhe turistët do të mund të vëzhgojnë garën nga Lungomare dhe nga plazhet.

Regatës do t’i bashkëngjitet një iniciativë tjetër e bukur: kursi për të lundruar me barkat me vela për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Po ashtu, Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë, nisur prej datës 7 korrik, 6 ditë kurs për barkat me vela, pa pagesë, pikërisht për të përhapur lundrimin me vela mes të rinjve të Vlorës, dhe me këtë, një kulturë detare të re, ndryshe.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).