Art & Kulturë

Teatri pjesë e programit të gjimnazeve të Tiranës, mundësi e artë për të gjithë talentet e pazbuluara

“Edukimi përmes Kulturës” është projekti më i ri, i cili do të zbatohet në gjimnazet e Tiranës, me iniciativën e Ministrisë së Kulturës dhe Teatrit Kombëtar.

“Klubi i Teatrit” do të fillojë të zbatohet në të gjitha gjimnazet, i cili hartohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për projektin që Ministrja Kumbaro e quan “Edukim dhe Zbavitje”.

Teatri Kombëtar ka nisur bashkëpunimin me shkollat e arsimit të mesëm në projektet: “Festivali i Klubeve të Teatrit”, Debate artistike, Trajnime në grupe sipas prirjeve në fushën e teatrit.

 “Krijojmë dhe ndërtojmë bashkë me ju këtë klub teatri si një projekt pilot që mendojmë të shtrihet vitin e ardhshëm në të gjithë vendin”- ka thënë Kumbaro mbi këtë projekt.

Në kuadër të programit “Edukimi përmes Artit dhe Kulturës”, si një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës 2017-2021, do të organizohet Festivali i Klubeve të Teatrit, punë e cila ka nisur nga shtatori i vitit 2017 dhe pritet të përfundojë në muajin maj 2018. Në ndihmë të gjimnazistëve, të cilët do të angazhohen në ndërtimin e një shfaqjeje e që është në vijimësi me programet mësimore, regjisori Armando Bora dhe dy aktorë të rinj të Teatrit Kombëtar Gjergj Mena dhe Xhuliano Brisku, transmetuan tek gjimnazistët njohuritë dhe eksperiencat e tyre.

Teatri Kombëtar ka hartuar strategjinë e “Edukimit përmes artit e kulturës” me projektin “Festivali i klubeve të teatrit në shkollat e arsimit të mesëm”, si një projekt pilot për sezonin 2017-2018.

Ky projekt do të finalizohet me realizimin e një produksioni teatror nga klubet e teatrit të çdo gjimnazi, duke u mbështetur në programet e tyre shkollore dhe programit të provimeve të letërsisë.

Gjimnazet që do të jenë pjesë e këtij projekti janë: Gjimnazi “Sandër Prosi” (Sauk) ; Gjimnazi “Sami Frashëri”; Instituti “Harry Fultz”; Gjimnazi “Abdulla Keta” (Shkozë); Gjimnazi “Petro Nini Luarasi”; Gjimnazi “Ibrahim Hasmema “ (Mullet).

Ky projekt u jep mundësinë të rinjve më të spikatur, për të asistuar pranë trupës së personelit të TK në aktrim, regji, skenografi, kostumografi, make-up artistik, teknik audio e video, teknik ndriçimi etj, ku të rinjve më të talentuar do t’u jepet mundësia për t’u bërë pjesë e produksioneve të teatrit.

Ky projekt zhvillohet jo vetëm në identifikimin e elementeve të talentuar si aktorë apo regjisor, por edhe në identifikimin e elementeve të rinj me prirje profesionale të tjera, që janë pjesë e rëndësishme e krijimit të një shfaqjeje teatrale. Të rinjtë me prirje si specialist i efekteve audio-vizuale për teatrin dhe teknikë ndriçimi do të trajnohen nga punonjësit e Teatrit Kombëtar dhe do të fitojnë një eksperiencë të vlefshme në këtë profesion.

 

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).