Art & Kulturë

Të gjallë dhe të vdekur nga Ilirian Zhupa

Ilirian Zhupa është një fenomen poetik në letrat shqipe jo vetëm për nivelin e lartë të mjeshtërisë poetike, por sidomos për laboratorin e krijimit të tij poetik, që është unik. Është rast i pashoq në letrat shqipe, që një krijues, duke arritur të rreshtohet që në fazën e parë të krijimtarisë së tij ndër individualitetet më të spikatura të kohës dhe të vlerësohet me Çmimin e Republikës për poezitë e tij, të zgjedhë heshtjen 25-vjeçare të mbylljes në laboratorin e tij krijues. Një heshtje poetike, në të cilën nuk u ndërpre kurrë komunikimi i brendshëm shpirtëror dhe artistik me fjalën dhe artin e tij. Vëllimi “Të gjallë dhe të vdekur”, që vjen pas një pune sizifiane artistike gjatë heshtjes 25-vjeçare, mund të thuhet se përbën një nga ngjarjet poetike më të shënuara të këtij çerekshekulli.

Ilirian Zhupa është një befasi poetike, jo në kuptimin e çastit poetik, por në kuptimin e dinamikës dhe të vazhdimësisë së gjithë krijimtarisë së tij poetike. Sintezat poetike dhe filozofike të koncepteve dhe të ndjenjave më të holla njerëzore, të kuptimit dhe të domethënies së enigmave të përjetshme të qenies dhe të jetës, të zbërthyera në mënyrë origjinale; kërkimi, zbulimi dhe shpjegimi i së bukurës dhe i dashurisë nëpër qeliza të panjohura jete dhe ekzistence, ku nuk të shkon mendja, të trupëzuara me një sistem metaforik dhe vrull të rrallë emocional, poetik dhe përgjithësues, e bëjnë këtë libër një kontribut të veçantë në poezinë dhe letrat shqipe. Raportet më të vështira të planetit “njeri”, si jeta dhe shpirti, njeriu dhe jeta, njeriu dhe qenia, njerëzorja dhe qiellorja, janë lëndë të poezisë së tij, të cilat i sjellin lexuesit një filozofi dhe estetikë poetike tejet origjinale. Veçori e individualitetit të Ilirian Zhupës është se mistiken e përjetshme të poezisë e përthyen në një konceptim dhe përjetim emotiv realist dhe të prekshëm, gjë që është kaq e vështirë në artin poetik.
Me këtë libër, poeti Ilirian Zhupa rivjen dhe ulet hijerëndë në vendin që kishte lënë bosh në tryezën e magjisë poetike, sepse askush nuk ia zuri dot vendin në Parnasin e poezisë shqipe. Poezia kishte dhe ka nevojë për të.

Në këtë kohë shpërqendrimesh të mëdha, Ilirian Zhupa ka aftësinë të përqendrohet tek ajo që është e pashkatërrueshme dhe e përjetshme, pra, tek shpirtërorja. Kështu, duke shkarkuar gjithçka të panevojshme tokësore, ai ringrihet duke fituar kësisoj gjendjen e mëparshme, të humbur tanimë nga qenia  njerëzore.

“I ardhur nga qiejt,
Jam braktisur në tokë…”

Prej këtej buron dhe ajo përmasë filozofike e kudondodhur qysh në poezitë e tij të para, por që bëhet dominante në këtë libër. Që këtej e nis dhe diskursin poetik me qenien dhe shpirtin, me të përkohshmen dhe përjetësinë, me banalen dhe sublimen. Vibrimet poetike që çliron ky lloj ligjërimi janë tejet të holla, prekëse, shpesh të mezidallueshme, siç janë të mezidallueshme ngjyresat e së blertës në gjirin e gjelbërimit. Ke ndjesinë se, pas një shterpësie poetike që na mundon prej kohësh, mund të ndalesh dhe të meditosh për kuptimin apo pakuptimësinë e qenies apo dhe për të dyja këto së bashku e pastaj të vazhdosh rrugën. Pa dyshim që  është një kulm poetik dhe jo vetëm për të, por për të gjithë lëvruesit e poezisë. Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm një poemë e tillë si “Qielli im” për ta pohuar këtë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).