Ky muze i kushtohet atyre njerëzve të pafajshëm, të cilët u përgjuan, u kontrolluan, u spiunuan nga regjimi komunist, me pasojë arrestime, internime, burgosje, ekzekutime dhe shumë dënime të tjera të rënda.
Muzeu do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat dhe shpirtrat e njerëzve.
Godina e Gjethit është shpallur Monument Kulture kategoria II me emërtimin: “LABORATORI I KRIMINALISTIKËS RR. “DËSHMORËT E 4 SHKURTIT”, me vendim nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.