I emëruar “Artist i Popullit” në vitin 1988, Robert Ndrenika lindi më 10 janar 1942 në qytetin e Tiranës.
Në vitet 1960-1964 ai vazhdoi shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” për aktor, ku deri në vitin 1970, aktroi në teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974, ai punoi si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) dhe më pas në Teatrin Kombëtar deri sa doli në pension. Sot punon si aktor i lirë.
Në dramaturgjinë kombëtare ai ka interpretuar disa role kryesore në produksionet: “Besa” e Sami Frashërit; “Skënderbeu” i Lec Shllakut; “Stinë e mërzitshme në Olimp” e Ismail Kadaresë; “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e Dritëro Agollit, etj.
Ndërsa, nga dramaturgjia e huaj mund të përmendim: “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” i Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu”, etj.
Ai ka marrë pjesë në mbi 30 filma shqiptarë, ndër të cilët janë: “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Bolero”, etj.
Robert Ndrenika është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.
Gjithashtu, ai u zgjodh si deputet i parlamentit në vitet 1992-1996 dhe ka punuar për disa vjet si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.