Art & Kulturë

Sot, 40 vjetori i vdekjes së Charlie Chaplin

Më 25 dhjetor 1977 në Zvicër, u shua një nga yjet më të mëdhenj të kinematografisë botërore. Charlie Chaplin u bë i njohur nga filmat e tij pa zë, por që me gjestet e veta, ka bërë miliona njerëz rreth botës të mbajnë barkun nga të qeshurat e pafundme.

Charlie Chaplin kur ishte i ri

“Ai nuk ishte një yll Hollywood-i, sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte”, – kështu e cilëson aktorin e madh ekspertja amerikane, Lisa Stein Haven.

Të gjithë e mbajnë mend pamjen karakteristike të Chaplin, të pangatërrueshëm në stilin e vet: Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha.

Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh “Fëmija“ (1921) endacaku ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Charles Spencer Chaplin lindi më 16 prill 1889 në Londër, në një familje të varfër dhe prej andej arriti të fitonte miliona dollarë në Hollywood. Jeta dhe prejardhja e tij e varfër ishte një prej inspirimeve kryesore të aktorit në veprat e tij.. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) trajton pikërisht këtë kontradiktë: Realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për “Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.

Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja, një dëshirë që i shkaktonte shpeshherë probleme.

Charlie Chaplin me djalin e tij Charlie Chaplin Jr dhe gruan, Lita Grey

Kritikat e ashpra rreth mënyrës së jetesës së tij nuk janë kursyer si nga gazetarët amerikanë, por edhe ata anglezë. Do të ishte gruaja e tij e dytë, Lita Grey Chaplin, ajo që e bëri aktorin baba, duke i dhënë dy fëmijët e parë në vitin 1913.

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: Ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si “Kohët moderne“(1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – Njeriun në ingranazhet e industrializimit.

Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët, Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Chaplin ne filmin “Diktatori i madh”

Në veprën e mëvonshme “Projektorët”, Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.

Pas 10 viteve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Evropën e 1967, filmin: “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër, duke bërë vetëm një udhëtim të shkurtër për në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave, ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun.. Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor: Ai është një legjendë!

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).