Në vendin tonë kultura dhe arti kanë zënë gjithmonë një vend të rëndësishëm, ku jo rrallë janë shfaqur në teatër edhe vepra të ndryshme.
Në vitin 1937, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, në Shkodër, Korçë, Tiranë e Elbasan, është vënë në skenë shfaqja “Skënderbeu”, një tragjedi me 5 akte nga E’them Haxhiademi.
Kjo Drejtori e ka bërë të ditur këtë fakt nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka shfaqur edhe fotot e fletushkave që shpërndaheshin në atë kohë për të njoftuar popullin mbi këtë shfaqje.
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se fondet e mbledhura nga shfaqja do të përdoreshin për sjelljen e eshtrave të poetit kombëtar Naim Frashëri në atdhe.
Mëposhtë është postimi i plotë i Drejtorisë:
“Skënderbeu”, tragjedi me 5 akte prej Et’hem Haxhiademit.
Me të drejtë Shkodra dhe Korça kanë famën e qyteteve ku arti dhe kultura kanë njohur zhvillime më të theksuara se në qytete të tjera të Shqipërisë. Megjithatë, në Fondin “Lef Nosi” të AQSh haset një numër i madh ftesash, fletushkash informative apo pllakata shfaqjesh artistike që janë dhënë në Tiranë apo Elbasan, së shumti gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të shkuar. Një prej tyre pllakatave është ajo që lajmëron shfaqjen e tragjedisë me 5 akte “Skënderbeu” shkruar prej Et’hem Haxhiademit dhe shfaqur në vitin 1937 në Kino-Theatër “Nasional”. Interesant është shënimi në pllakatë: fondet e mbledhura nga shfaqja do të përdoren për sjelljen e eshtrave të poetit kombëtar Naim Frashëri në atdhe. Foto: AQSh”