“Shtëpia në udhëkryq” e Vassilis Vassilikos, shkrimtar bashkëkohor grek, është një roman erotik, plot sensualitet dhe seksualitet.
Vepra sjell atmosferën e jetës rinore dhe të qarqeve të artistëve grekë të fundviteve ‘50, përshkruan ambicie të zhgënjyera dhe ëndrra të parealizuara, që, pa dyshim, shënjojnë karakterin dhe jetën e personazheve kryesore.
Gjatë rrëfimit mjeshtëror, mbushur me erotizëm që ndihet përmes atmosferës së ngjarjeve dhe më gjerë, në shtëpinë e Jakovit duket sikur të gjitha personazhet janë, kush më pak e kush më shumë, të përfshira në marrëdhënie sekrete apo joshje, që deformojnë raportet e tyre intime, por në të njëjtën kohë i shtyjnë ato të kërkojnë kënaqësi të reja, edhe pse me dhembje. Në këtë roman del qartë atmosfera e shfrenuar e Athinës së mesit të shekullit XX, ajo atmosferë që sundonte edhe në Europë, në kërkim të lirisë së pakufishme.
I vlerësuar për portretizimin mjeshtëror të personazheve, Shtëpia në udhëkryq, romani që shënoi majën në krijimtarinë letrare të Vassilis Vassilikos, është përkthyer në 40 gjuhë dhe ka fituar Çmimin Shtetëror për Prozën e Shkurtër më 1980, si dhe shumë çmime të rëndësishme letrare.