Qendra Kinematografike e Shqipërisë dhe e Kosovës do të jenë pjesë e “Marche Du Film” të festivalit prestigjoz të Kanës, nga data 8 deri më 17 maj 2018.
Pavijoni ku do të vendosen Kosova e Shqipëria, këtë vit është caktuar të jetë pranë shteteve me industri më të zhvilluar të filmit, ku do të qëndrojnë afër vendeve të Evropës Juglindore, si Republika Çeke, Sllovakia, Gjermania, etj.
Në këtë kategori ku do të bëjnë pjesë dy trojet shqiptare, do të prezantohen të rejat e kinematografisë kosovare e shqiptare, si me anë të katalogut, ashtu edhe duke i prezantuar të gjithë filmat që janë mbështetur nga Qendrat Kinematografike përpara producentëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të fondeve të filmit, të festivaleve, agjentëve të shitjes, distributorëve, etj.
Po ashtu, pritet të mbahen takime me partnerë ndërkombëtarë të kinematografisë, fonde filmi, përfaqësues të festivale të mëdha ndërkombëtare, producentë e distributorë të ndryshëm.
![]()