Komedia “Shirli Valentina” me aktoren Olta Daku shoqëroi publikun për dy mbrëmje me radhë në skenën e teatrit “Skampa” në qytetin e Elbasanit.
Vepra e autorit Willy Russell në skenë me regji nga Driada Dervishi dhe protagoniste në rol aktoren e njohur Olta Daku vijon të udhëtojë në skena të ndryshme të teatrove për publikun.
Në vepër Shirli është një 42 vjeçare, por se çfarë mendon të bëjë ajo kjo tregohet në komedinë e autorit të njohur anglez Willy Russell.
Komedia “Shirli Valentina” e shkruar nga anglezi Willy Russell ka në qendër një grua që i duhet të përballet përditë me muret e kuzhinës. Kjo është një komedi klasike dhe moderne, nga e cila sipas regjisores Dervishi publiku do të vazhdojë të buzëqesh gjatë edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar.
E vënë në shumë skena të botës vepra “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit 1988. Përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë, Olta Daku, e cila përmes Shirlit fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat.
Një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell kjo komedi, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze dhe pasi është vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, vjen edhe në skenën e teatrit në Shqipëri.