Gazetarë, të rinj, studentë e gjimnazistë janë bashkuar për një kauzë humanitare. Ata kanë arritur të zhvillojnë një fushatë bamirësie ndërkombëtare që synon mbledhjen vullnetare të fondeve, për t’i mundësuar kurimin jashtë vendit katër fëmijëve të sëmurë me kancer.
Pjesë e kësaj nisme kanë qenë edhe personalitete të njohura shqiptare e qytetarë të thjeshtë, të cilët kanë kontribuar me donacionet e tyre.
Gjatë koncertit “Një Këngë Për Jetën”, që u mbajt ditën e djeshme në sheshin e kryeqytetit, Mirush Kabash ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit, nëpërmjet fjalimit që mbajti duke përdorur fjalët e shenjtores shqiptare Nënë Tereza.
Prezantimi i këtij koncerti bamirësie ishte po ashtu unik pasi vajza e vogël e Presidentit, Era Meta, u ngjit për të moderuar, së bashku me Florian Agalliun.
Në skenë u ngjitën për të performuar disa prej zërave më të mirë shqiptarë, si: Sidrit Bejleri, Aurela Gaçe, Motrat Libohova, Bujar Asqeriu, Valbona Mema, Ylli Baka, Bes Kallaku, Xhensila Myrtezaj dhe Eli Fara.
Gjithashtu, përpos çmimeve të biletave që kishin shifra bazuar në pozicionin që zgjidhje, të ardhurat janë grumbulluar edhe nga kontributi financiar i një numri të madh biznesesh.