Art & Kulturë

Shekspiri, dramaturgu më i njohur në histori, jeta dhe vdekja e tij

Sot është 454 vjetori i lindjes së Uilliam Shekspir dhe 402 vjetori i vdekjes së tij. Ai lindi më 23 prill të vitit 1564 dhe ndërroi jetë po më 23 prill të vitit 1616.

Uilliam Shekspir në veprën e tij kishte pararendës themelet e botëve antike dhe traditën, epokat e përtëritjes përmes ligjërimit. Dishepujt i kishte panumërt, doktrinar, zotër dhe shëlbyes të shpirtit dhe tempit të epokës. Letërsia britanike, dramaturgjia, krejt bota e letrave, do ta mbajnë ndërmendjen për të si kremtimin më solemnt të kumtit artistik.

Jeta e Uilliam Shekspir është pak e njohur. Dihet se ai u lind më 23 prill 1564 në Stratford on Avon dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet. U martua më 1582 dhe u largua nga Stratfordi më 1585. Më 1592 lë gjurmë në Londër. Është fillimisht aktor pastaj tekstshkrues i dramave. Shekspir bën pjesë në trupën mbretërore, e cila ka teatrin e saj që quajtur “Globi”. Jeta e këtij teatri daton më 1599 dhe kapaciteti i saj është tremijë shikues. Me kalimin e kohës blen një teatër privat për t’u kthyer në Stratford më 1612, ku dhe ndërron jetë më 23 prill 1616.

Image result for william shekspir

Kjo njohje e paktë e jetës së Shekspirit u ka lënë shteg hamendjeve për t’u hedhur në trillime dhe sajesa nga më të pabesueshmet. Disa shkojnë deri në atë cak sa të vënë në dyshim ekzistencën e tij. Të tjerë thonë se nën emrin e tij fshihet Francis Bekon. Nuk duhet lënë mënjanë fakti se edhe për shumë autorë të tjerë të kësaj periudhë dihet fare pak. Enigma e Shekspirit qëndron midis jetës së tij të thjeshtë  dhe veprës së tij të jashtëzakonshme dhe shumë të larmishme.

Nën mbretërimin e Elizabetës, kohë kur Anglia ishte në kulmin e fuqisë së saj dhe po ndërgjegjësohej si komb, teatri ishte ai që rroku interesimin e publikut. Ky ishte “arti i madh” i kohës, ku publiku gjente vetveten. Konsumi i kësaj forme shprehëse estetike dhe artistike nuk i privohej asnjë shtrese sociale, shtresat e ulëta, fisnikëria dhe monarkët ishin të gjithë të shtruar në të njëjtën sofër.

Galeria e veprave

Duke mos llogaritur poemat, Shekspiri ka shkruar 36 pjesë teatrore. Nuk dihet se kur u shkruan ato, por një lloj kronologjie renditësh mund të ofrojë shtresimi sipas zhanreve. Në këto pjesë, tematika huazohej nga autorë të mëhershëm, anglezë apo të huaj, por të gjitha janë të ripunuara me themel.

Fillesa e krijimtarisë së Shekspirit përkon me temën historike që përbënte dhe interesimin e kohës. Më 1591 erdhi në jetë “Henriku VI” për t’u pasuar nga “Rikardi III” më 1593, “Rikardi II” , 1595, “Henriku IV” që daton në periudhën 1596-1597 dhe mbyllëse e këtij kapitulli të teatrit historik vjen më 1599 “Henriku V”

Në të njëjtën periudhë jetësohen edhe komeditë. E para e këtij vargani është “Komedia e gabimeve” më 1594, pastaj “Gjerpërushja e zbutur” shkruar nga Shekspir në të njëjtin vit. “Ëndrra e një nate vere” vjen më 1595 e pasur nga “Gratë gazmore të Uinstorit” më 1597. Tri komedi të tjera vijnë në kohështrirjen e viteve 1598-1601, ato janë “Shumë zhurmë për asgjë”, “Si t’ju pëlqejë” dhe “Nata e mbretërve”.

Dhe çelet sipari i tragjedive që nis me një pjesë shumë të dhunshme në stilin e kohës, me vrasje, përdhunime, gjymtime. Bëhet fjalë për “Titus Andronicus”, kohë në të cilën pena e jashtëzakonshme shkruan dhe “Romeo dhe Xhulieta”. Pas vitit 1600 ai hedh në letër e vë në skenë tragjeditë e mëdha me temë nga lashtësia; “Antoni dhe Kleopatra”, “Koriolani dhe Timoni i Athinës”. Kjo është koha e veprave epokale “Jul Çezar” më 1599, “Hamleti” më 1601, “Otello”, 1604, “Makbeth” më 1606 dhe “Mbreti Lir” diku rreth atij viti.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).