Art & Kulturë

Restaurohet në Berat ikona “Mbledhja e Kryeengjëjve” nga Kostandin Zografi

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në Berat ka rregulluar ikonën “Mbledhja e Kryeengjëjve” nga autori Kostandin Zografi.

Ikona me numër kartele 91 dhe dimensione: 96.5 x 60.5 x 3.5 cm, është marrë nga kisha e “Shën Kollit” në Vanaj të Fierit.

Specialistët e artit ndërhynë në konservimin dhe restaurimin e ikonës, konkretisht në konsolidimin e grundit, fiksimin e pelikulit të ngjyrës dhe pastrimin e sipërfaqes së pikturës me shumë kujdes, duke mos rrezikuar dëmtimin e ngjyrave dhe humbjen e vlerave origjinale të ikonës.

Sipas DRKK-së, Berat, puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateljesë, ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).