Mrika Krasniqi, regjisorja e filmit “Prova” (Proof, 2018), ka konfirmuar projektin e saj të ri. “Prova” është një film autor me metrazh të gjatë, me skenar, regji dhe producente Mrika Krasniqi, prodhim i kompanisë filmike amerikane “Nil Production”.
Ikona legjendare e aktrimit shqiptar, i madhi Xhevat Limani luan rolin e protagonistit kryesor, përkrah Liza Hoxha. Filmi bën fjalë për gjyshin dhe mbesën e tij, të cilët mbesin të izoluar në bodrumin e një ndërtese gjatë bombardimeve të luftës së Kosovës.
Pasi merr vesh se vajzës (luajtur nga Liza Hoxha) ia kanë vrarë prindërit, gjyshi (luajtur nga Xhevat Limani, “Ikona e Aktrimit Shqiptar”) pëson një traumë dhe vendos të qëndrojë në bodrum edhe pas përfundimit të luftës. Duke qenë profesor i artit dramatik, ai krijon brenda bodrumit hapësira të ndryshme për të argëtuar mbesën, e cila gjendet në karrocë invalidësh nga një aksident i pësuar më parë. Filmi i dedikohet rreth 20 mijë fëmijëve të Kosovës, prindërit e të cilëve u vranë në luftën e vitit 1999.
“Pasi lexova skenarin e Mrika Krasniqit m’u duk sikur roli ishte shkruar për mua. Kisha shumë pikëtakime me personazhin dhe dramën e tij të brendshme. Bëmë disa seanca provash me regjisoren dhe ramë dakord të futemi në fazën parapërgaditore dhe me forca të përqëndruara filluam projektin. Puna hulumtuese me regjisoren ishte një eksperiencë e veçantë. Mrika ishte shumë kërkuese përsa u përket skenave me partnerët, situatat e rënda me transformime të shpeshta psikologjoke, si dhe në ritmin e brendshëm të veprimeve konkrete në rrafsh natyrshmërie dhe spontaniteti. Mendoj se kemi realizuar diçka të veçantë,”-, tha Xhevat Limani.
“E veçanta e këtij filmi ishte që për herë të parë po drejtohem nga një regjisore grua. Dhe kjo ishte pjesa më e bukur, Mrika është një regjisore e veçantë dhe me shumë energji, ajo dinte saktë të na tregonte se çfarë duhet të luanim dhe si të vepronim. Shpresoj të kemi sa më shumë regjisorë të kategorisë si Mrika Krasniqi. Po ashtu, ka qenë një privilegj që të jem përballë aktorit të madh Xhevat Limani. Në përgjithësi mund t’a quaj një eksperiencë e veçantë. Për në fund dua të them për diopin Ibër Deari që ka qenë një punë e palodhme për të, sepse shumë qartë na tregonte e na lehtësonte ne aktorëve që të jemi sa më shpirtnisht e të saktë para kamerës,”-. tha aktori Mirsad Abazi.
Rolet e tjera luhen nga aktorët e mirnjohur Mirsad Abazi dhe Julian Biba. Mirsad Abazi është aktor profesional në Teatrin Profesional të Kumanovës në Maqedoni. Njihet si njw aktor që di të luajë shumë bukur role të ndryshme, si heroin, edhe antagonistin. Mirsad Abazi tregoi një arritje të jashtëzakonshme si një aktor shumë i talentuar në filmat “A Long Way Home”, “My City Screams,” “Between Paradise and Hell”, të cilat janë vlerësuar me shumë çmime në festivale ndërkombëtare.
Julian Biba është një producent, skenarist dhe aktor i talentuar, i cili jeton në Nju Jork. Karriera e tij ka qenë e mbushur me role të paharrueshme, siç është Al Kapone në “Misteret në Muze” në Travel Channel. Gjithashtu ka marrë pjesë në serialin e njohur “The Americans”, krijuar nga Joe Weisberg për FX. Si një skenarist i aftë, Julian Biba ka shkruar “Leap of Faith”, “The Bright Future”, “Paftuar”, puna e të cilit është paraqitur në revistën e njohur “Inktip”. Julian Biba ka përfunduar trajnimin profesional të skenaristit “ScreenwritingU” në Nju Jork.
Regjisorja dhe skenaristja Mrika Krasniqi bashkëpunoi për këtë projekt me producentin e suksesshëm në shkallë ndërkombëtare, Ibër Deari, i cili merr pjesë në filmin “Prova” si Drejtor i Fotografisë. Regjisori, skenaristi, producenti dhe Drejtori i Fotografisë Ibër Deari, u bë i njohur me filmat e tij “Toka”, “A long Way Home”, “My City Screams”, “Last Confession”, të cilat janë shfaqur në mbarë botën. Lindur në Maqedoni, me origjinë shqiptare, Ibër Deari u bë mjaft i famshëm në skenat ndërkombëtare, duke fituar disa çmime si, “Artisti Më i Mirë”, “Regjisori Më i Mirë” e “Filmi Më i Mirë”.
“Mrika me këtë skenar ka krijuar një botë të madhe me një vend shumë të vogël. Dy lokacione dhe aq shume veprime, aq shume aktivitet, kjo është mjeshtëria e një artisteje dhe regjisoreje te veçantë, me të cilën pata fatin të punoj. Ajo përveç skenarit të mirë dhe regjisurës, ka arritur të krijoj edhe një ekip shumë të mire, që ka mbajtur energji pozitive gjatë gjithë kohës së xhirimeve.”-, ka thënë Ibër Deari.
Regjisorja, skenaristja, producentja Mrika Krasniqi është themeluese e kompanisë filmike “Nil Production”, artiste ndërkombëtare, vlerësuar për kontributin e saj të madh dhënë në fushën e artit dhe biznesit. Mrika Krasniqi ka fituar disa çmime, si: “Gruaja e Vitit” nga Kongresi Amerikan, “Artistja më e Mirë” në Francë, “Ambasadore e Paqes”, “Regjisorja Më e Mirë”, “Prodhimi Më i Mirë”, “Dokumentari Social Më i Mirë”, “Dokumentari Historik Më i Mirë”. Krasniqi është organizatorja e dy eventeve të suksseshme në Amerikë, Java e Modës Shqiptare dhe Java e Filmit Shqiptar, që tani quhet “International Filmmaker Festival of New York”.