Prej 3 vitesh grupimi qytetar “Bicycle Durrës” kërkon vendosjen e vendparkimeve për biçikletat, vendosjen në rrugë të sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si edhe ndërtimin e korsive për biçikletat.
Këto janë adresuar tek Bashkia Durrës, si institucioni kompetent për realizimin e tyre. Për këtë është nënshkruar edhe një peticion, por megjithatë bashkia nuk ka marrë masa për plotësimin e tyre.
Muajt e fundit bashkia po investon në disa rrugë brenda qytetit dhe megjithëse ato e ofrojnë hapësirën për të ndërtuar korsi për biçikletat, kjo nuk është bërë.
Gjendur përballë faktit se çdo muaj shumë përdorues të biçikletës, si pasojë e mungesës së infrastrukturës, plagosen dhe një pjesë e tyre humbin jetën, “Bicycle Durrës” do të organizojë një protestë qytetare.
Duhen më shumë rrugë për biçikletat që nuk prodhojnë ndotje, se sa për makinat që çlirojnë gazra të dëmshëm.
Prandaj, bashkisë Durrës do t’i kërkohet që në çdo investim që po kryen dhe do të bëjë në të ardhmen, të përfshijë korsinë për biçikletat, sinjalistikën e nevojshme dhe vendparkime për biçikletat.
Bashkohu edhe ti me ne, ditën e martë (29 maj), ora 08:30 e mëngjesit, përpara bashkisë Durrës, për të mbrojtur jetën tonë dhe të brezave të ardhshëm.