TIRANË, 31 maj/ATSH/ Libri “Të Bëhesh” mbërriti edhe në Shqipëri, 6 muaj pas publikimit në SHBA, më 30 nëntor 2018, në një promovim në COD, mes shumë të ftuarve të artit, kulturës dhe shoqërisë civile. Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano vlerësoi interesimin e lexuesit shqiptar për ardhjen në shqip të këtij libri, që tregon rrugëtimin e gruas së suksesshme, Michelle Obama, “e cila na bën të kuptojmë se të jetosh në Shtëpinë e Bardhë, është sa një ëndërr, po aq edhe përgjegjësi”. Dy zonjat e nderuara Rexhina Nano dhe Linda Rama, të pranishme në promovim ndanë disa mendime nga eksperienca dhe përgjegjësia e zonjave të politikës shqiptare.
Bestseller-i që pushtoi libraritë me 10 milionë kopje të shitura nga Amerika, Europa e deri në Australi, tashmë edhe për lexuesin shqiptar, botim i shtëpisë botuese Dudaj, shqipëruar nga Ledia Agolli. Portreti intim dhe mbresëlënës i zonjës së parë të SHBA-ve, e cila ka frymëzuar botën. Autobiografi, kujtime, eksperiencë, përvojë – një histori shprese dhe rruga e suksesshme e një gruaje të hekurt, një nga figurat më popullore të kohës sonë.