“Aromat e Vjeshtës” është pjesa e parë e një trilogjie dhe romani i pestë i autorit Grigor Banushi. Ai vjen pas romaneve “Vdekja e Narcisit”, “Fytyra e Djallit”, “Mëria e Zanave” dhe “Simfonia e Pambaruar”.
Romani i fundit e merr temën nga aktualiteti. Në qendër të tij është figura e një gazetari e shkrimtari, i cili shpesh ndodhet në situata të vështira e të gabuara, dhe rrezikon të bëhet pré e intrigave, thashethemeve dhe qëllimeve dashakeqe të njerëzve të ulët e cmirëzinj. Një vend të rëndësishëm në këtë roman zë dashuria dhe heroi përveç shumë udhëkryqeve e dilemave e sheh veten edhe midis dy dashurive. Përshkrimet e mjedisit që e rrethon, ambiente të qytetit të Tiranës, por edhe të vendeve jashtë Shqipërisë, ku heroi gjendet herë pas here, plotësojnë tablonë e ditëve tona e cila pasqyrohet në romanin Aromat e Vjeshtës.
Grigor Banushi nuk zhgënjen as këtë herë, përkundrazi. Stili i tij është i përsosur dhe tabloja jetësore që ndërton është dinamike, personazhet janë të veçanta e të papërsëritshëm. Vepra përshkohet tejembanë nga humanizmi i thellë, nga thellësia e ndërlikuar e shpirtit njerëzor dhe e ekzistencës së qenies, kudo që ndodhet. Universi njerëzor qoftë në një metropol, apo në një bjeshkë të largët është i pamatë dhe i pakufi në shpalosjet e tij.
Mondial Hotel Tirana 09/11/2018