Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Skraparin, ku vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”.
Meta çmoi gjithashtu edhe Dule Caushaj (Malindi) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.
“Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë kanë qenë fortesat e lirisë dhe të qëndresës, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u trashëgua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar”, tha Presidenti Meta.
Ndaj, shtoi ai, “ishte kënaqësi e veçantë të vlerësoja sot në Skrapar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare, përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon”.
“”Xha Demiri”, së bashku me bashkëpunëtorët e tij Medin Kushe, Shahit Gjinari, Neshat Ebibasi, Agim Cakrani, e shumë të tjerë u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por si rrallëkush i këndoi lirisë dhe maleve tona”, u shpreh Meta.
“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi, i cili ka mbajtur gjallë këngët e Skraparit dhe ato kombëtare”, tha Meta.
“I lindur në fshatin Malind të poetit tonë të madh, Xhevahir Spahiu, edhe Dule Malindi është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, u shpreh Meta.