Premiera teatrore “Reigen” (Rrethi) vjen në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Shkruar nga Arthur Schnitzler, regjisor i veprës teatrore është austriaku Alois Galle.
Shfaqja e kësaj vepre në teatrot e Vjenës dhe Berlinit njëqind vjet më parë, çoi në konflikt dhe trazira në sallë deri në ndalimin e saj. Ndërkohë, dhjetë dialogët e saj, kanë qenë prej kohësh në mesin e kryeveprave të letërsisë botërore.
Në këto dhjetë skena, vendosen përballë njëri-tjetrit prostituta dhe ushtari, ushtari dhe shërbëtorja, shërbëtorja dhe zotëria i ri, zotëria i ri dhe gruaja e re, gruaja e re dhe bashkëshorti saj, bashkëshorti dhe vajza e ëmbël, vajza e ëmbël dhe poeti, poeti dhe aktorja, aktorja dhe konti, konti dhe prostituta e skenës së parë. Asnjëri nuk është besnik ndaj tjetrit, ata flenë së bashku, por nuk ndjejnë dashuri. Ata ndihen të vetmuar edhe kur nuk janë vetëm. Vetmia nuk është fati i tyre, por faji i tyre. Ajo bazohet në gënjeshtra dhe mashtrime, në lakmi dhe në superficialitet.
Vdekja është një tjetër mendim, i cili nuk i ndahet personazheve të pjesës. Ajo nxit tundimin për të shijuar momentin. Rolet në vepër luhen nga aktorët e tetarit të Shkodrës, por dhe nga Tirana. Në role janë Krist Lleshi, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Simon Shkreli, Julinda Emiri, Pjerin Vlashi, Ina Gjonçi, Jozef Shiroka, Loredana Gjeçi, si dhe me pjesëmarrjen e Frederik Fistanit.
Premiera vjen në teatrin e Shkodrës në datat 14, 15 dhe 16 shtator.