Art & Kulturë

“Plaçkitësit”, drama kosovare në Teatrin e Kumanovës

Regjisori nga Kosova, Ben Apolloni, do të prezantojë shfaqjen “Plaçkitësit” përpara publikut të qytetit të Kumanovës më datë 16 janar, ora 20:00.

Kjo dramë nga Joe Orton, trajton momente të hidhura dhe tragjike të jetës, ku paraqitet në teatër në stilin e një komedie të zezë.

“Plaçkitësit” është një komedi e zezë me plot kuptimin e fjalës, sepse ndodh në ditë funerali, në një ditë kur familjarët e të vdekurës do të duhej të ishin duke mbajtur zi, por ata në atë ditë i bëjnë të gjitha të zezat, duke mos pasur pikë respekti për të vdekurën.

“Kjo komedi e mbushur përplot situata e batuta komike, në fakt është shumë e hidhur dhe fshikulluese për njeriun e kohës tonë i cili ka humbur të gjitha vlerat njerëzore. Vlera për të cilat gjithmonë është folur, por duket se kurrë nuk kanë ekzistuar.”-, është shprehur regjisori.

Në rolet kryesore interpretojnë aktorët rezidentë të Teatrit të Kumanovës: Sefedin Shabani, Shkëlqim Islami, Ismail Kasumi, Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, dhe aktores mysafire nga Shkupi, Rabije Alilovska.

Gjithashtu, shfaqja e kësaj vepre më 16 janar është bërë në shenjë përkujtimi të veprës së aktorit kumanovar, Sefedin Nuredini, i cili vjet më 14 janar ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë shëndetësore.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).