Art & Kulturë

Përkujtohet sot në 196 vjetorin e vdekjes së tij: Si arriti Ali Pashë Tepelena të bëhej një prej sundimtarëve më të fuqishëm dhe më të njohur shqiptarë

Ali Pashë Tepelena lindi në fshatin Beçisht të Tepelënës më 1740 dhe u vra nga trupat armike më 24 janar 1822.

Ai njihet në historinë shqiptare, por edhe më gjerë (Turqi e Greqi), si një prej sundimtarëve më të fuqishëm feudalë të Shqipërisë Jugore, që themeloi Pashallëkun autonom të Janinës dhe i doli kundra ushtrisë osmane.

Me prejardhje nga një familje feudale shqiptare nga Tepelena, Ali Pasha u njoh që herët për aftësitë e tij ushtarake dhe mendjen e mprehtë. “Luani i Janinës” është pseudonimi me të cilin Pashai njihej në rradhët e feudalëve e ushtarëve shqiptarë, por edhe në sytë e otomanëve dhe armiqve të tij.

Ai është një figurë kontradiktore për të gjithë studiuesit që merren me shqyrtimin e tij. “Me kokë të madhe, ballë të lartë, vetulla të dendura, shikim depërtues dhe dinak, gojë të gjerë, që sa herë që buzëqeshte ngrinin në vend të gjithë që ishin rrotull tij sepse me këtë buzëqeshje vuloste dënimin me vdekje të ndonjë armiku apo miku të tij të rrezikshëm.”-, kështu e përshkruan pashain studiuesi Aurel Plasari në librin e tij kërkimor “Luani i Epirit”.

Ali Pasha dhe Lord Bajron

Në vitin 1784 ai fitoi gradën e “Pashait”, pasi kishte qenë komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje, ku po në këtë vit fitoi edhe qeverisjen e Sanxhakut të Delvinës, të cilën e mori nën nënshtrim nëpërmjet luftës.

Në histori Ali Pasha njihet si një hajdut dhe vrasës i pamëshirshëm, duke i bërë të gjithë armiqtë e tij që të dridheshin përpara pranisë së Pashait të madh. Ai kishte të gjitha veset dhe virtytet që mund të gjeje në atë periudhë lufte, duke qenë njëkohësisht dinak e i zgjuar dhe me raste naiv.

Fama mbresëlënëse e pasurisë, fuqisë dhe lavdisë ishte e shtruar me kufoma të panumërta; Ai vriste për të hequr qafe një pengesë që i kishte dalë përpara dhe për të fituar një tribunë që të mbrohej,  për të trashëguar e garantuar diçka që e kishte fituar.

I shkathët, dinak, i etur për gjak, i shpejtë, hakmarrës dhe i duruar, Luani i Janinës hyri në histori shumë shpejt. Në haremin e tij kishte plot 300 femra!

Busti i Ali Pashës në qytetin e Tepelenës.

Kalaja e Porto Palermos në Himarë ishte dhurata për gruan e tij, Vasiliqinë, të cilën sipas historisë, Pashai i madh e donte shumë. E madje në betejën e fundit që ai ndërmorri, historia flet se si Aliu i kërkoi rojeve të tij që në rast disfate, të vrisnin Vasilikën, që ajo të mos binte në duart e armikut.

Jeta e këtij personazhi kontrovers përfundoi më 24 janar të vitit 1822, kur Pashai dhe trupat e tij luftuan heroikisht ndaj osmanëve në shkallët e kalasë së tij në ishullin e Janinës. Koka e tij iu dërgua si provë sulltanit të Perandorisë Osmane që të shihte se një prej armiqëve të tij më të fortë ishte mposhtur.

Megjithatë, një dokument i zbuluar së fundmi kundërshton këtë version vdekjeje që është deklaruar nga konsulli francez i asaj kohe, Pouqueville. Në mungesë të dëshmimtarëve apo dëshmive të tjera, ky version është konsideruar si më i njohuri dhe i vërteti, deri më sot.

Një letër dëshmi, që daton prej shkurtit të 1822 që Reis Efendi, ministri i jashtëm i Perandorisë Otomane të kohës, i jep Ambasadorit të Britanisë Lordit Strangford, për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

Nga dëshmia ku përshkruhet me hollësi vrasja e Aliut, del se veziri i madh i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi, i vrarë nga një shqiptar dhe se gruaja e tij Vasiliqia ishte bashkëpunëtore e fshehtë e Portës së Lartë.

Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm mbi figurën e Vasiliqisë është cilësimi i saj qartësisht në raportin e ministrit otoman si “vajza e një prifti grek”.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: Terrori që Aliu ushtroi mbi trupat dhe vet sulltanin e Perandorisë Osmane dhe fama e tij si një prej udhëheqësve më të fortë që shqiptarët kanë njohur, do ta shoqërojë këtë figurë deri në fund të jetëve.

Momenti kur koka e Ali Pashës i prezantohet sulltanit.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).