Pak ditë më parë Shqipëria u zgjua mes imazheve të llahtarshme të një video të shpërndarë kudo në median sociale. Në video filmohet tortura dhe vrasja me sëpatë e një qeni të lidhur. Për të disaten herë dëshmuam se pandjëshmëria, mizoria dhe sadizmi tejkalon çdo kufi. Ky nuk është kurrësesi një rast i izoluar. Vetëm dy ditë e ndajnë këtë ngjarje nga një tjeter vrasje, ajo e një ariu të vrarë nga banorët e Dibrës. Lista vazhdon, jemi njohur me histori të qenve të terhequr zvarrë me makinë, të tjerëve të hedhur në lum, të braktisur, të helmuar, të përdhunuar, të shqyer pas ndërsimit me kafshë të tjera, apo të vrarë për arsye banale ose për të kënaqur ndonjë nevojë sadiste të një individi.
Për pak sekonda përpara se tortura të fillojë, e shohim qenin teksa me pafajsi tund bishtin me të parë individin i cili do të sjelle vdekjen e tij. Të mos jetë i pa emer ky qen, i denuar megjithëse pafaj, e quajmë Bardhosh, pasi i tille ishte, brenda dhe jashtë.
Nuk mundëm të bëjmë asgjë për Bardhoshin i cili humbi jetën i torturuar. Të mos lejojmë që ai të jetë thjesht një numër në listën rrënqethëse të krimeve mizore ndaj kafshëve.
Për të ndalur abuzimin, për të ndalur vrasjet, për të ndalur torturën dhe dhimbjen, për vetë sigurinë tonë e cila cënohet nga individë të tillë të rrezikshëm, Shqipërisë i duhet një ligj për të ndëshkuar dhunen ndaj kafshëve. Në mes të shoqerise tone jetojnë individë të aftë për të kryer akte çnjerëzore, individë të cilët kryejnë një krim të tillë, me gjakftohtësi, dhunë dhe sadizëm rrënqethës. Individë të tillë, të cilët ngurojmë t’i quajmë njerëz, janë një rrezik i cili i kanoset shoqërisë tonë.
Për Bardhoshin dhe per shumë Bardhoshë të tjerë do të mblidhemi të Shtunën, datë 7 Tetor në orën 11:00, përpara Parlamentit të Shqipërisë. Kërkojmë të hedhim sëbashku hapin e parë drejt ndryshimit të situateës së kafshëve në Shqipëri. Ju ftojmë për të hedhur firmat e para në atë që urojmë dhe presim të jetë peticioni qe do të shpjerë ligjin në brendesi të mureve të Parlamentit.
Ky eshte vetem hapi i pare per mbledhjen e 20000 firmave te nevojshme per te propozuar ligjin, ne vijim mbledhja e firmave do te vazhdoje ne pika te caktuara.

Për Bardhoshin. Peticioni #1Ligj4Putra
Prev Post
Euridita
Next Post
Trajnim “Terapia e Lojes”