Iris Apfel, biznesmenja dhe modelja 96 vjeçe, e njohur për stilin e saj ekstravagant, është kthyer në një kukull Barbie.
Kompania Mattel ka dizenjuar kukullin Barbie sipas pamjes së Iris, e cila është e vetmja e llojit të saj.
“Karriera e saj e suksesshme dhe e gjatë e bën Apfel subjektin perfekt për këtë kukull kaq të veçantë”, është shprehur një zëdhënës i Mattel.

Iris në të djathtë
Kukulla Barbie mban veshur të njëjtin kostum të shndritshëm jeshil nga Gucci dhe bizhuteritë me të cilat është shfaqur Apfel në kopertinën e librit të saj më të fundit “Aksidentalisht Ikonë”.
Po ashtu, kukulla mban veshur syzet e rrumbullakta të Iris, por duket se prodhuesit kanë preferuar të shfaqin një fytyrë pa rrudha, duke qëndruar tek standartet joreale që kukullat Barbie kanë vendosur ndër vite.

Megjithatë, kohët e fundit kompania Mattel ka dizenjuar disa kukulla të cilat forcojnë figurën e femrës. Kështu, më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, kjo markë lançoi koleksionin“Sheroes”, i cili përmban versionet e kukullave të modeles Ashley Graham, balerinës Misty Copeland dhe artistes Frida Kahlo.