Nga regjisori Ivan Cotroneo, filmi italian “La kryptonite nella borsa” do të shfaqet këtë të mërkurë, më 4 prill, në bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës.
Në këtë komedi trajtohet historia e 9 vjeçarit Peppino Sansone, një djalosh i ndjeshëm që jeton bashkë me familjen e tij në Napolin e vitit 1973.
Familja e tij është pak e çrregullt dhe pasi mamaja e tij, Rosaria, bie në depresion nga tradhtia e bashkëshortit të saj, Peppino dërgohet që të jetojë me disa kushurinj për ta shkëputur nga drama familjare.

Salvatore dhe Titina do të ngarkohen me përkujdesjen e Peppinos, duke e marrë atë me vete në çdo diskotekë e festë feministe që shkojnë. Shumë shpejt, miku i ngushtë i vogëlushit do të bëhet kushuriri i tij Gennaro, një tip i çuditshëm që mendon se është Supermani.
Pas ndodhive të ndryshme, Peppino do të arrijë që të kuptojë dalëngadalë botën e të rriturve. Në fund të filmit, jepet mesazhi se gjithkush duhet të jetojë duke përqafuar veçoritë e veta dhe jo duke i fshehur ato nga bota përreth.
Mos e humbisni këtë film, që nëpërmjet komedisë dhe dramës, do t’ju japë një mesazh të rëndësishëm mbi jetën! Ora: 19:00- 21:00.