Xhamia Mbret, Xhamia e Beqarëve dhe Teqeja Helvetive që ndodhen në Berat, do të nisin së shpejti proçesin e restaurimit.
Projekti për rregullimin e këtyre xhamive do të realizohet nga IMK në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim TIKA.
Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë së I. Ndërtimi i saj daton që në shekullin e XV-të dhe vazhdon me disa faza deri në shek. XIX. Kjo xhami, së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë, përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare.
Projekti i restaurimit të Xhamisë Mbret ka si qëllim kryesor nxjerrjen në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të këtij monumenti. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: Konsolidimin strukturor të monumentit; restaurimin e çatisë; çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç çimento dhe realizimi i suvatimit me teknika dhe materiale tradicionale; konservimin dhe restaurimin e piktures murale ; restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavanet, mafili etj, si edhe instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
Projekti trajton Xhaminë Mbret dhe Teqenë Helvetive si pjesë e një kompleksi, duke i dhënë shumë rëndësi përfshirjes së punimeve për sistemimin dhe vlerësimin e territorit.
Teqeja Helvetive është ndërtuar nga Ahmet Kurt Pasha në vitin 1781 dhe mban statusin e Monumentit të Kategorisë së I. Tavani i dekoruar i këtij monumenti cilësohet si një nga tavanet e dekoruara prej druri më të bukura në Ballkan. Ambienti kryesor i monumentit është i dekoruar me pikturë murale si dhe ka një mafil me strukturë druri.

Teqeja Helvetive
Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: Konsolidimin strukturor të monumentit; restaurimin e çatisë; punime konservuese dhe restauruese të pikturave murale dhe të pikturave në strukturën drusore të mafilit; restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë si tavani, mafili etj; restaurimin e dritareve me elementë gipsi dhe xham me ngjyrë, si edhe instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
Xhamia e Beqarëve është ndërtuar nga i biri i Ibrahim Pashë Vlorës, Sulejman Pashë Vlora në vitin 1827. Xhamisë i janë bërë ndërhyrje pas Luftës së Dytë Botërore në vitet ‘40 dhe ’50, ndërsa në vitet 1968 dhe 1978, xhamia i është nënshtruar ndërhyrjeve të thella restauruese. Projekti i restaurimit mbështetet mbi një analizë të thellë historike dhe arkitektonike duke shfrytëzuar gjithë materialet arkivorë dhe bibliografinë mbi këtë monument.

Xhamia e Beqarëve
Veçantia e këtij monumenti janë pikturat murale në fasadë që datojnë në të njëjtën periudhe me ndërtimin e vetë objektit. Punimet restauruese të parashikuara konsistojnë në: Konsolidimin strukturor të monumentit; restaurimin e çatisë; punime konservuese/restauruese të pikturave murale në ambientet e brendshme dhe fasadë; Restaurimin e elementëve të dekoruar drusorë, si edhe instalimi i sistemit elektrik dhe sistemit të ngrohjes.
Një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro dhe z. Skënder Bruçaj i ka hapur rrugën këtij procesi, që parashikon 5 Monumente kulture të besimit islam t’i nënshtrohen ndërhyrjes restauruese.