Art & Kulturë

“Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë”, nga Enkelejd Lamaj

Enkelejd Lamaj – “Ndonjëherë qëndrojnë përgjithmonë” (Tregime)

Çdo 8 vjet historitë e frikshme përsëriten.

Pas “Fytyra tjetër e natës” (2003) dhe “Libri i bardhë” (2011), vjen kjo përmbledhje e re me tregime, që përmes fantastikes, misterit dhe tmerrit, na çon në përhumbje të reja, të panjohura dhe të frikshme, brenda një realiteti të ndërtuar buzë ankthesh, ku marrin formë turbullimet, impulset dhe çmenduritë që popullojnë botën brenda dhe jashtë secilit prej nesh.


Një masë e panjohur, e aftë për të gllabëruar jetë, një guaskë e mallkuar që ndjell vdekje, qenie të pabesueshme dhe shpirtra të grisur nga mizori të egra, që enden nëpër humnera absurde pa rrugëdalje, por edhe atmosfera të qeta, që papritmas shpërthejnë, duke na vënë para asaj forme të veçantë të tmerrit, që vetëm e pakuptueshmja mund ta ngjallë.
Tregim pas tregimi, ndërsa frika rrjedh para syve në forma të paimagjinuara, do ta gjejmë veten në një dimension marramendës, krejt pezull në një tension të vazhdueshëm midis dëshirës për të gjetur kurajë në errësirë dhe kthyer faqen tjetër dhe dëshirës për të vrapuar dhe dalë në dritë.


A thua se në dritë, gjërat shkojnë më mirë!

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).