Fizikanti dhe autori i librit “A Brief History of Time” dhe një prej shkencëtarëve më të njohur në fushën e kozmologjisë, ka vdekur në moshën 76 vjeçare nga shkaqe natyrale në shtëpinë e tij në Cambridge, Britani.
Familja e tij nxorri një deklaratë për shtyp në mëngjesin e sotëm, ku ka konfirmuar lajmin e hidhur. Fëmijët e tij, Lucy, Robert dhe Tim kanë shprehur hidhërimin e tyre për largimin e të atit.
“Ai ishte një shkencëtar dhe njeri i madh, puna e trashëgimia e të cilit do të jetojë për vite me rradhë. Guximi dhe këmbëngulja e tij, së bashku me diturinë dhe humorin e bën atë një njeri të mrekullueshëm”, janë shprehur ata.
Stephen Hawking inspiroi miliona vetë përreth botës me teoritë e tij rreth relativitetit e studimit të vrimave të zeza dhe vendosmërinë e tij për të arritur maksimumin e vetes pavarësisht paralizës së tij të plotë.
Në moshën 22 vjeçare Hawking u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme nervore që paralizonte qelizat e tij dhe iu dha vetëm dy vite jetë, por ai ia doli që të surprizonte këdo, pavarësisht se për vite me rradhë qëndroi i paralizuar në një karrige elektrike dhe fliste me anë të një aparature.

Stephen Hawking me aktorët e “The Theory of Everything”
Stephen Hawking tha dikur, “Nuk do të ekzistonte universi nëse ai s’do të ishte shtëpia e njerëzve që ti do”.
Shkencëtari u portretizua në seri televizive nga Benedict Cumberbatch dhe aktori fitues i Oscar, Eddie Redmayne në filmin “The Theory of Everything”, i cili fitoi shumë famë pasi eksploroi marrëdhënien e Hawking me gruan e tij të parë, Jane.