Art & Kulturë

Ndërron jetë gjuhëtari amerikan Eric Pratt Hamp

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një nga gjuhëtarët e shquar të botës në fushën e studimeve krahasuese, Eric Pratt Hamp. Eric Pratt Hamp ka lindur në nëntor 1920 në Londër, ndërsa nga 1925 jetonte në SHBA.

Pas studimeve të shkëlqyera të rregullta dhe doktorale në Harvard, kohën më të madhe punoi në Universitetin e Chicago-s, ku e përfundoi punën si profesor emeritus. Gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare historike, indo-europeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.

Eric Pratt Hamp është anëtar i shquar i një numri të madh institucionesh dhe asociacionesh të botës, ndër të cilat me këtë rast po veçojmë: Akademia Amerikane e Arteve dhe e Shkencave nga 1976, Shoqata Amerikane e Filozofisë, Akademia Mbretërore Daneze e Shkencave dhe e Arteve, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia Irlandeze, është shpallur doktor nderi i Unviersitetit Amherst, Universitetit të Uelsit, Universitetit të Kalabrisë, Universitetit të Delhit dhe Universitetit të Edinburgut. Më 2012, Posta Shqiptare e nderoi me një pullë të veçantë bashkë me Norbert Jokl dhe Holger Pedersen.

Për nder të tij janë bërë më shumë botime, dy për studimet ballkanike, një për gjuhësi të përgjithshme, një për gjuhët native të Amerikës, një për studimet indoeuropiane, një për studimet keltike dhe një për studimet shqiptare: Scritti in onore di Eric Pratt Hamp per il suo 90. compleanno, edited by Giovanni Belluscio and Antonio Mendicino of the University of Calabria and published in 2010 (ISBN 9 788874 581016).

Ka qenë redaktor në shumë revista ndërkombëtare, ndërsa ka botuar studime gjithandej nëpër botë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).