Art Kurti, aktori i njohur nga qyteti i Gjakovës në Kosovë, është gjendur i vdekur në një makinë mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:50, në rrugën Gjakovë-Goden, në vendin e quajtur Qafa e Zabelit.
Policia kosovare e ka konfirmuar këtë lajm për Gazetën Express, ku ka deklaruar se është duke hetuar rrethanat e ngjarjes, të cilat deri më tani, tregojnë për një vetëvrasje të mundshme.
Aktori është gjendur i vdekur nga një plumb në kokë në një veturë në fshatin Goden, në periferi të qytetit.
“Dyshimet e para çojnë në dyshime për vetëvrasje. Në veturë është gjetur vetëm një armë dhe viktima ka pasur një fishek të shkrepur në kokë”, ka thënë për Express Kristë Gjoka, komandat i policisë në Gjakovë.
Kohët e fundit, Art Kurti, ka qenë i angazhuar me detyrën e këshilltarit në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Gjakovës.