Art & Kulturë

Ndahet nga jeta gazetari Fatos Baxhaku

Gazetari dhe publicisti i njohur Fatos Baxhaku është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare. Mësohet se ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Çastet e fundit të jetës i kaloi pranë familjarëve dhe të afërmëve të tij. 55-vjeçari ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Gazetari Fatos Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 Janar në 1964. Ai ka studiuar në Unversitetin e Tiranës në Fakultetin Histori-Filologji, ku u diplomua në Histori.

Nga 1986 deri në vitin 1992 ka punuar në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Baxhaku ishte një nga pionerët e parë të shtypit të lirë dhe të pavarur.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin Klan. Më pas, Fatos Baxhaku vijoi karrierën e tij në mediume të ndryshme, ndërsa vitet e fundit punonte si gazetar i lirë.

Baxhaku ka qenë ndër anëtaret e parë në jurinë e Akademisë Kult dhe gjithashtu ka fituar Çmimin Kult për ciklin e dokumentarëve Tunel.

Një jetë dedikuar gazetarisë dhe publicistikës, Baxhaku la pas një thesar veprash si serialet me reportazhe “Tunel”, “Rrugëtim” apo librat “Gur”, “Gra të përgjithshme”, “Roje” etj.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).