Aktorja e mirënjohur shqiptare, “Artistja e Merituar” Valentina Caci u nda nga jeta ditën e sotme.
Si pjesë e trupës profesioniste të aktorëve të teatrit të Korçës, Caci ka pasur shumëllojshmëri shfaqjesh në drama dhe komedi, duke marrë edhe besimin e regjisorëve për role kryesore.
Valentina Caci lindi në qytetin e Korçës më 2 mars të vitit 1936. Në lëvizjen artistike që shpërtheu që në muajt e parë të Paraçlirimit u aktivizua në grupet teatrale amatore, ku dhe u dallua si aktore. Ajo ka interpretuar në shumë role si, Ollga në dramën “Makar Dubrava” e Korneiçukut, Kolkoziania në dramën “Rruga e madhe” e Fjodorovit, Gallupkova në komedinë “Kush e ka fajin” e Molinavit, Lumturia në dramën “Të rinjtë” e V. Vinçanit, Lumtua në komedinë “Vajza nga fshati” e F. Gjatës, Veroria në dramën “Këneta” e F. Gjatës, Nafia në dramën “Hijet e natës” e V. Kokonës, Meri në dramën “Rrethimi i bardhë” e N. Priftit, Helena në dramën “Engjejt e skëterrës” e Kantenit, Gruaja në dramën “Orteku i vjeshtës” e S. Andonit, Luçia në komedinë “Karnavalet e Korçës” e S. Çomorës etj.
Ndërsa për publikun e gjerë ajo njihet me filmat: “Vëllezër dhe shokë”, “Mësonjëtorja”, “Me hapin e shokëve”, “Rruga e madhe”, “Kur çel dashuria”, “Shoqja nga fshati” dhe “Zonja nga qyteti”, etj.
Për kontributin e saj në skenën korçare dhe jo vetëm, aktores Valentina Caci i është dhënë titulli, “Artiste e Merituar”. Homazhet për të do të zhvillohen ditën e nesërme në Teatrin e Korçës “Andon Zako Çajupi” nga ora 12:00-13:00.