Edicioni i V-të i këtij manifestimi letrar përmbyllet sot në Tuz me ndarjen e Çmimit për Vepër Jetësore ‘TEUTA’, çmim ky që i ndahet njërit ndër figurat më të shquara të kulturës shqipe, Moikom Zeqos.
Shoqata ‘TEUTA’ për pesë vjetët e themelimit ka përshkuar disa komuna, ndërsa dje ishte në Shkodër, në djepin e artit dhe të kulturës e cila ka shumë njerëz të denjë për të qenë laureatë të ardhshëm të Çmimit TEUTA. Dhe si e tillë, Shkodra e mirëpret dhe bashkëorganizon me Bibliotekën e qytetit “Marin Barleti”, e cila është epiqendra e librit në Shkodër.
“Muzat e Alpeve” edhe sivjet organizohen në kuadër të Ditëve të Diasporës më mbështetjen e Ministrisë së Diasporës se Republikës së Kosovës, pasuar edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, si dhe komuna e Istogut, ku edhe filluan aktivitetet. Ndërsa, deri më tani ky manifestim lëvizës ka përshkuar: Pejën, Kotorrin, Rugovën, Rozhajën, Decanin, Plavë-Gucinë, Junikun e Bajram Currin duke promovuar vlerat letrare të cilat na radhisin denjësisht përkrah popujve të tjerë.