Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës

E premtja e fundit e marsit, datë 30/03/2018, na mbledh sërish në takimet e seminarit “Përthyerje Antropologjike” në auditorium-in e Bibliotekës Kombëtare, ora 17:00. Kjo mbasdite i kushtohet figurës emblematike të Musine Kokalarit, vepra dhe jeta e së cilës vijnë në interpretimin dhe analizën e Prof. Persida Asllanit, studiuese e saj dhe e letërsisë moderne shqipe.

Abstrakt
Shkrimtaria e Musine Kokalarit përbën një dukuri unike në letrat shqipe, jo vetëm si shkrimtarja e parë në botën tonë letrare, por si pena e parë që mundësoi vërshimin e ligjërimeve femërore në “gjuhën e mashkullt shqype”. Në prozën e saj, pikëtakim sugjestionues mes shkrimit dhe oralitetit, qasjes etno-antropologjike dhe përsiatjes ekzistenciale, joshjes dialektore dhe elegancës së idiolektit, u përftuan si kurrë më parë identitetet ligjërimore femërore, si një përvojë e re e shkrimit shqip, një dukuri e re, e pahetuar më parë as në prozatorët e mirënjohur të epokës, si Koliqi, Kuteli, Spasse, Migjeni e Stërmilli. Është po kjo vetëdije parësore e shkrimit që e bën veprën e saj të tejkalojë çështjen e “tabusë” gjinore thjesht duke e asgjësuar atë me aktin performativ të shqiptimit të vetes e të “Të tjerave” femërore në hapësirën e letërsisë. Nga vepra në vepër, kjo vetëdije rritet në kompleksitet dhe kërkim, duke hetuar tashmë vetëdijen identitare, duke u shndërruar në një sprovë të kalimit nga identitarja e trashëguar te identitarja e sprovuar. Për rrjedhojë, Albanizma femërore e Musine Kokalarit tharmon një vetëdije të re, të pandashme nga ajo shkrimore, vetëdijen e qëndresës. Kjo qëndresë është “e patrajtueshmja” që i dikton si fashizmi ashtu edhe komunizmi. Fotografia e saj e fundit, teksa gjendet përballë jurisë së gjyqit ushtarak, në moshën 28 vjeçare, është shëmbëlltyra e qenies autentike përballë “banalitetit të së keqes”.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).