Festivali i filmit dhe muzikës vjen në kuadër të Vitit Kulturor Austri – Shqipëri 2018 dhe do të zhvillohet çdo mbrëmje nga data 13 deri në 20 shtator 2018 në Pazarin e Ri në Tiranë.
Festivali i filmit si format merr shkas nga Festivali i Filmit Muzikor në Vjenë i cili zhvillohet prej vitit 1991 në Sheshin Wiener Rathausplatz të kryeqytetit Austriak. Festivali i Vjenës ka kapërcyer kufijtë e Austrisë për t’u vënë në jetë në Budapest, Bukuresht, Nju Jork, Tokio, Jekaterinburg dhe tashmë formati i tij propozohet dhe në Tiranë.
Misioni i këtij Festivali kulturor filmi, muzike dhe kulinarie është të sigurojë një qasje të gjerë në artet pamore, interpretuese, duke angazhuar kështu një publik masiv dhe krijuar kohezion social. Festivali synon që pjesëmarrësit të përfshijnë njëkohësisht të gjithë shqisat për të përftuar kështu një eksperiencë të paharrueshme. Aktivitetet do të ofrohen falas në një mjedis unik, të hapur dhe të lirë siç është Pazari i Ri.
Programi artistik i Festivalit të filmit vjen si një kombinim i filmave austriakë dhe shqiptarë, ndërthurje nga ato te muzikës klasike të Filarmonisë së Vjenës, tek Falko dhe Parov Stellar. Më tej filma muzikorë si Koncert në vitin 1936, Fejesa e Blertes deri tek disa materiale variete dhe komedi si Karnavalet nga Ismail Zhabjaku. Risi do të jenë dhe një seri dokumentarësh të shkurtër si Tinguj të Zjarrtë e Ardian Murraj, Poeti 15 vjecar nga Halil Kamberi, Vallëzimi i shqipeve nga Endri Keko dhe “Në festivalin e 11-të të Këngës” nga Donika Muci, të cilat janë materiale shumë pak të njohur për publikun.
Një element tjetër interesant që mund të konsiderohet si risi e këtij Festivali do të jetë gastronomia. Festivali në thelb do të jetë kulturor dhe i standardit të lartë kulinar duke përqafuar konceptin “Street food gourmet”. Pjesëmarrësit do të mund të shijojnë një darkë gourmet, një pasdite pushimi në një ambjent interesant dhe stimulues, shoqëruar nga një aktivitet kulturor, pamor dhe muzikor. Çdo ditë do të jetë një festë e madhe gastronomike me një gamë të gjerë shijesh ndërkombëtare.
Ambasada Austriake në Tiranë dhe Bashkia e Tiranës janë mbështetësit e këtij Festivali i cili organizohet nga EDS Foundation dhe Moving Culture.