Për herë të parë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, çeli të enjten një ekspozitë të veçantë kushtuar temës së librave të ndaluar për publikun gjatë komunizmit.
Vlera e veçantë e kësaj ekspozite të titulluar “Libra të ndaluar në komunizëm” qëndron në faktin se krahas ekspozimit të librave të ndaluar, ajo shoqërohet dhe me një sërë dokumentesh arkivorë lidhur me politikat, udhëzimet, urdhrat lidhur me ndalimin e librave. Një gjë e tillë u bë e mundur në sajë të bashkëpunimit e mbështetjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivit.
Ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm” do të qëndrojë e hapur për publikun çdo ditë nga data 27 shkurt deri më 3 mars në Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë.