Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ditën e mërkurë, datë 17 janar 2018, ora 11.00 çel ekspozitën “MOTI I MADH”. Në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën me titull “Moti i Madh”. Kjo ekspozitë përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe betejat e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, i cili ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut. Objekti qëndror i ekspozitës është kambana e Karpenit me tingullin e saj, si gjurmë e kohës, e cila daton në vitin 1465. Po ashtu, përshkrimi i Arbërisë para pushtimit osman pasqyrohet nëpërmjet hartës me principatat shqiptare të kohës, bashkë me emblemat e tyre, fisnikët që morrën pjesë në Besëlidhjen e Lezhës, bashkimin politik dhe ushtarak më të rëndësishëm në historinë e shqiptarëve.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Objektet e ekspozuara e ilustrojnë qartë armatimin e kohës. Ekspozita përmban ekspozitorë të cilat paraqesin për vizitorët armë mesjetare si dhe libra të autorëve të ndryshëm dedikuar Skënderbeut. Projeksionet artistike me dokumentarë dhe imazhet nga filmi i Skënderbeut pasurojnë këtë ekspozitë të veçantë gjatë gjithë hapësirës së hollit kryesor të Muzeut Historik Kombëtar. Figura e Skënderbeut mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i luftës me fitoret e tij legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin t’a përsërisnin.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.