Art & Kulturë

Mos e lini pa parë… “Dita zë fill”

Katërmbëdhjetë shtatori solli si premierë në kinematë e Tiranës, filmin e vlerësuar ndërkombëtarisht “Dita zë fill”.

Zakonisht prodhimet e artit shqiptar paragjykohen me stereotipin se produkti s’është cilësor… jo buxheti, jo mungesa e përvojës, jo kushtet mizerabël… por ja që “Dita zë fill” e thyen tërësisht këtë stereotip. Shiheni dhe në fund do keni të njëjtën shije që të lë një nga ato “hollivudianet” që përflisni lart-e-poshtë mes miqsh.

Skenar dhe regji nga Gentian Koçi. Bashkëpunim i gjerë me institucione, media dhe kompani prodhimi, brenda dhe jashtë vendit. Në role Suzana Prifti, Adele Gjoka, Kasem Hoxha dhe Ornela Kapetani, pikërisht kjo e fundit, në Sarajevë, vlerësuar me çmimin aktorja më e mirë protagoniste me personazhin e Letës. Bashkëpunim që i ka dhënë përshkrimin më rrëqethës të mundshëm një drame të tmerrshme që përzien moralin e barkut të të gjithëve ne që gjykojmë gjithkënd, pa përtesë dhe me plot dhënie-mendsh.

Mjeshtërisht Koçi ka zgjedhur një titull që i thotë të gjitha! Ornela Kapetani nga ana tjetër, me interpretimin e saj e meriton plotësisht jo vetëm vlerësimin në Sarajevë, por edhe më tej… Çmimi i biletës për këtë film është shumë herë më i lirë se sa vlera që ai përcjell! Një muaj pasi korri suksesin ndërkombëtar në edicionin e 23-të të “Festivalit të filmit në Sarajevë” kjo dramë rrëqethëse mund të shihet edhe këtu te ne.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).