Piktura më e famshme e Leonardo da Vinçit, Mona Lisës, ka frymëzuar artistin spanjoll të rrugës, Okuda, të krijojë një afresk 50 metra në një ndërtesë të Parisit, që e bën atë një ndër më të larta në Europë.
Mona Lisa e Okudës, varianti kontemporan i kryeveprës së Leonardo da Vinçit, është e mbushur me ngjyra dhe kontraste të forta, ndryshe nga imazhi i qetë që ofron piktura e ekspozuar në Muzeun e Luvrit. Spanjolli, që ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Madrid, thotë se ka vizatuar një Mona Lisë, e cila i përket të gjithë botës.