ATSH/ Në sheshin qendror të qytetit të Lushnjës u zhvillua Edicioni i 10-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore.
Aktiviteti u organizua nga bashkia Lushnjë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Folklorike.
Në këtë edicion morën pjesë 8 grupe konkurruese, ndërsa 3 grupe të tjera përshëndetën, në total dhe rreth 250 artistë popullorë.
Çmimin e parë në këtë aktivitet e fitoi grupi i Kolonjës, në Ersekë; çmimin e dytë e mori grupi i qendrës kulturore, Dibër, ndërsa çmimin e tretë ansambli “Dropulli”, Qarku Gjirokastër.
Gjithashtu juria vlerësoi dhe individë të ndryshëm me çmimin e karrierës, valltarja më e mirë, valltari më i mirë, etj.
Çmimet u shpallën nga kryetari i jurisë prof. dr. Agron Xhangolli. Tipar pozitiv i këtij festivali ishte gërshetimi i moshave të artistëve popullorë dhe larmia e kostumeve popullore. /m.m/j.p/