ZETA ka kënaqësinë t’ ju ftojë në ekspozitën personale N’JERM nga Lek M. GJELOSHI,
ditën e premte, datë 14 dhjetor 2018, ora 19:00
N’JERM – SLEEPWALKERS
14 dhjetor 2018 – 10 janar 2019
ZETA – Tiranë
Ekspozita paraqet një cikël me fotografi të shkëputura nga një grumbull negativësh me të cilët autori ndeshet rastësisht, nisur si pretekst për të testuar me to një makineri të vjetër për zmadhimin e filmave 35 mm. Imazhet e seleksionuara përmes saj janë fragmente të organizuara pa një rend të paracaktuar narrativ.
I tërhequr nga dimensioni fantazmagorik i subjekteve mbi sipërfaqen e ekranit, ai fillon t’i rifotografojë duke aktivizuar gradualisht një jetë të dyfishtë të imazheve, ku pjesë e tyre është tashmë edhe drita e ekranit të projektorit, gjurmët e vjetërsisë dhe reflekset që ndodhen në sipërfaqen e tij. Këto fotografi i inverton më pas në negativ dixhital duke përdorur opsionin e zakonshëm që ofron aplikacioni i celularit. Nga kjo mbivendosje negativësh, procesi algoritmik i thjeshtë prej ku ai përfton imazhe, “pozitivët” hibrid, të cilat ngarkohen me një atmosferë të re, që nuk referon më informacionin e fotografisë e as dëshminë e saj, por devijimin konstant, një soj kllapie ose përçartjeje të asaj që mbetet mbi sipërfaqen e mbështjellur nga tisi i blucianit.
Kështu vjen në dritë një arkiv i panjohur dhe i pautorësi. Në të na shfaqen trupa, rite liturgjike e peizazhe të vagullta, ekzistenca herë të magjepsura, herë të mbetura pezull në një fshat të mistershëm diku në Shqipërinë veriore.