Gruaja shqiptare, e aftë të mbajë mbi supe shkëmbinj, me vite e me shekuj; e denjë të lëvizë botën dhe të rishkruajë historinë, të thyejë gurin dhe t’i japë formë duke e shndërruar në një kurorë simbol të sakrificës së saj, janë disa nga tiparet karakteristike të cilat erdhën mbrëmjen e djeshme për publikun nën penelin e piktorit të ri Markel Capo.
Ekspozita e titulluar “Kurorë Guri”, solli në Kalanë e Tiranës mbrëmjen e djeshme një ekspozitë të veçantë pasi ajo që të binte në sy në pikturat e Capo ishin femrat shqiptare të cilat kanë shënjuar historinë si simbole të rezistencës që nga Rozafa e deri tek Argjiroja.