Shfaqja “Kumarxhiu” vjen premierë mbrëmjen e sotme për publikun shkodran në skenën e teatrit “Migjeni”.
Shfaqja premierë vjen me interpretimin e Simon Shkrelit (Pantalone, Meniko), Linda Jarani (Rozaura), Indri Qyteza-Shiroka (Florindo), Fritz Selmani (Beatriçe), Vladimir Doda (Lelio), Jozef Shiroka (Tiburcio), Merita Smaja (Gandolfa), Zyliha Miloti “Mjeshtre e Madhe” (Kolumbina), Pjerin Vlashi (Brigela).
Shfaqja tregon për Florindon, kumarxhiun, i rrëmbyer nga vesi i kumarit. Ai bie në duart e Tiburcit një mashtruesi profesionist. Tek bixhozi gjen shkatërrimin e tij, humb të fejuarën Rozaurën, të dashurën Beatriçe, vetëm ndërhyrja e plakut Pantalone, që shtrëngon Lelion, ortakun e Tiburcit, t’i kthej një pjesë të parave të fituara me mashtrim, që e do Florindon të shpëtojë nga rreziku i martesës me Gandolfën.
“Kumarxhiu” (Venecia 1750) është një nga komeditë e Carlo Goldoni-t dhe mbart një aktualitet tronditës, me një tekst të rrallë. Varësia nga bixhozi, apo lojërat e fatit, që përfaqësohen përmes maskave të pakëndshme, ka qenë një temë shumë e rrahur në Europën e shekullit XVIII, e cila është aktuale edhe në ditët e sotme.
Shfaqja do të vijojë për publikun edhe në datat 4, 5, dhe 6 qershor në teatrin “Migjeni”, Shkodër.