Art & Kulturë

Kujtim i vitit 1968. Opera “Bijtë e Skënderbeut”

Opera “Bijtë e Skënderbeut” është një nga ngjarjet kulmore të skenës së teatrit të Durrësit gjatë shekullit të kaluar. Ajo ka hyrë në historinë kulturore të qytetit antik si përpjekja e parë dhe e vetme në gjininë më të vështirë muzikore, ndërsa suksesi i saj në skenat e të gjithë vendit ka dëshmuar pjekurinë dhe mundësitë e forcave artistike të Durrësit. Sprova e fillimvitit 1968 vinte pas disa arritjeve në një nivel tjetër muzikor. Përgjatë një dhjetëvjeçari në pallatin e kulturës ishin përgatitur një sërë operetash, që nga “Era e lirë” e Dunajevskit, e më pas krijimet e autorëve vendas Pjetër Dungu dhe Enver Mara.

– Grimci dhe Gjeluci, bashkëpunimi i kompozitorit me poetin –

Kompozitori Abdulla Grimci, që ishte bërë i njohur me këngën “Fëmija i parë”, fituese të festivalit të parë të këngës në radio dhe Matish Gjeluci, autor i disa libreteve për operetat e vëna në Durrës që në fillim të vitit 1967, morrën paralelisht detyrën e bashkëpunimit për të realizuar diçka ndryshe me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Grimci, i cili nga Tirana ishte transferuar në Durrës si drejtor i shkollës 8-vjeçare të muzikës “Dalip Tabaku”, konsiderohej si një nga forcat më të mira krijuese të qytetit bregdetar dhe me përvojën e fituar në të njejtën kategori futej edhe Matish Gjeluci, i cili në një intervistë për ATSH-në para disa kohësh kujton: “Drejtori i pallatit të kulturës, Llazar Ziu, nguli këmbë për bashkëpunimin tonë dhe mua m’u desh të merrem të paktën dy muaj me libretin. Mbaj mend vërejtjet dashamirëse të disa kolegëve, por edhe të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, i cili kur lexoi aktin e parë më tha: Vargjet janë shumë të bukura, por nuk di ç‘të them për dramaturgjinë”.

“E kuptova që duhet të kujdesesha jo vetëm për tregimin, por edhe për konfliktin brenda veprës”, dëshmon Matishi për ngjarjet e 46 vjetëve më parë. Ndërkaq, bashkëpunimi me Abdulla Grimcin kishte ecur përpara dhe në mesin e vitit 1967 opera ishte gati. Tani fillonte puna më e vështirë, vënia në skenë. Ndërkohë edhe në kryeqytet kishin nisur përgatitjet për operan “Skënderbeu” me muzikë të Prenk Jakovës dhe libret të Llazar Siliqit. “Ka patur një rrethanë të veçantë për situatën e Durrësit, kur kompozitori Prenk Jakova u sëmur dhe nuk përfundonte dot orkestracionin e veprës”, kujton libretisti i operas “Bijtë e Skenderbeut”, Matish Gjeluci. Megjithëse kolegët e tij të shquar Tish Daija dhe Cesk Zadeja po punonin për të vijuar orkestracionin, tashmë sytë e organizatorëve të festës kombëtare u kthyen edhe drejt Durrësit.

– Interpretuesit, që të gjithë amatorë –

Përgjegjësia e autorëve dhe interpretuesve po rritej. “Me këngëtarët solistë ka punuar me shumë pasion këngëtari i shquar lirik Lluk Kaçaj – kujton prof. Gjeluci. Ai përgatiti edhe Skënderbeun e operas sonë, Napolon Llalla, i cili vinte nga lëvizja amatore”. Interpreti tjetër i heroit, Ibrahim Nova, kishte kënduar më parë si bas bariton në Ansamblin e Ushtrisë. Po ashtu nga lëvizja amatore vinin edhe Dashamir Gjata, i cili krijoi figurën e komandantit turk, apo Naim Nova e Qemal Golja. Ferial Kamata ishte e njohur si aktore, por jo si këngëtare dhe përjashto Qemal Kërtushën e Sotir Afezollin, të cilët kishin një përvojë të mirë skenike të tjerët ishin artistë diletante, tregon Gjeluci.

Interpretimi dinjitoz i solistëve u mbështet edhe nga formacionet e korit si dhe ato të valleve.

Gjeluci kujtonte me respekt mjeshtrin Koço Uçi, i cili përgatiti të gjitha koralet e operas, e po ashtu vlerëson ndihmesën e paçmuar të koreografit Ramazan Bogdani, që përgatiti vallet e aktit të dytë, ku dallonin akinxhinjtë të egër e kërcënues përballë luftëtarëve shqiptarë krenarë dhe madhështorë. Enver Plaku i mbështetur nga Jorgjie Truja do të punonte për regjinë e shfaqjes. Mjafton të kujtojmë korin e fëmijëve dhe gjallërinë që i dhanë ata skenës, flet Gjeluci.

Krijuesit e operas janë befasuar kur në sallën që përgatitej për provën e përgjithshme kanë gjetur dhjetra spektatorë, miq dhe të afërm të interpretuesve.
Opera ishte kthyer në një ngjarje të rëndësishme për qytetin dhe suksesi i saj do të sigurohej pa mbërritur ende në shfaqjen zyrtare të premierës më 9 janar 1968. “Thuajse çdo arie apo korale mbyllej me duartrokitjet e të pranishmëve, madje edhe akti i parë nisi me të njejtin entusiazëm”, shprehet Gjeluci.

Skenografia e mjeshtrit Hysen Devollit, të cilin e kishin sjellë në kantierin detar të Durrësit, siç thuhej atëherë me qarkullim, pas një periudhe të gjatë pune në Teatrin e Operas dhe Baletit, skenografia e përgatitur prej tij ishte e mrekullueshme, veçanërisht në aktin e dytë. Uvertura do të fashiste edhe shqetësimin e kompozitorit Grimci për dirigjentin Ermir Dizdari, ende student në Institutin e Lartë të Arteve, por që debutoi me sukses plotësisht të merituar. “Unë thosha me humor se Ermiri, ky djalë trupvogël e plotësonte dyshen e Grimcit (grimca) e Gjelucit (gjel i vogël)”, bënte shaka Matishi, duke nënvizuar: “Ka qenë një ndërmarrje shumë e vështirë për një ansambël amator, në të cilin u përfshinë më shumë se 100 pjesëmarrës”.

Mendoni, dëshmonte Gjeluci, që drejtor administrativ i operas u caktua drejtori i fabrikës së cigareve dhe ai përkujdesej jo vetëm për pjesmarrjen, por edhe për shëndetin e artistëve amatorë.

– Suksesi i merituar –

Opera “Bijtë e Skënderbeut” pati një jehonë të madhe jo vetëm në Durrës. “Besoj se për këtë ka ndikuar muzika e thjeshtë, me motive shqiptare dhe mjaft profesionale që kishte kompozuar Abdullai-nënvizon prof. Gjeluci. Shfaqja udhëtoi në disa nga qytetet kryesore të vendit dhe kudo qëndrimi zgjatej me disa ditë për shkak të interesimit të spektatorëve. Jo vetëm në Shkodër e Korçë, Elbasan e Durrës, por edhe në Tiranë pritja e publikut ka qenë shumë e ngrohtë-kujton Gjeluci, sipas të cilit në kryeqytet opera e Durrësit është shfaqur të paktën 8 mbrëmje radhazi. Brenda një viti kemi arritur numrin e 98 shfaqjeve, thotë prof. Matishi.

“Bijtë e Skenderbeut” ishte tregues i pjekurisë së forcave artistike të qytetit dhe dëshmonte nivelin e lartë të këngëtarëve të tij. Veçse pas kësaj nuk pat asnjë tentativë për të riprovuar, qoftë edhe një operetë tjetër. Ndoshta sepse ishte një gjini më e kushtueshme nga pikpamja financiare, apo se forcat artistike ishin kryesisht amatore.

U shfaq për herë të parë në 9 janar 1968 në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Muzika: Abdulla Grimci. Libreti: Matish Gjeluci. Dirigjent: Ermir Dizdari. Regjisor: Enver Plaku. Skenograf: Hysen Devolli.

Personazhet:

Skënderbeu : Napolon Llalla – Ibrahim Nova

Gjeto Curri : malësor farkëtar, Sotir Afezolli

Bardha : e bija e Gjetos, Ferial Kamata

Shpendi : luftëtar, Qemal Kërtusha

Syk Tharku : tregtar gruri, Qemal Golja

Anadoll Pasha : komandant turk, Dashamir Gjata

Memeci : luftëtar, Naim Nova

Malësorë e malësore, luftëtarë, fëmijë, jeniçerë, robina.

(Materiali – ATSH-Gëzim Kabashi)
(Foto – Arkivi i Terezina Dema)

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).