Art & Kulturë

Komedia “Vdekja e Stalinit” ndalohet të shfaqet në Rusi

“The Death of Stalin” është filmi i fundit britanik me nota komike, që përshkruan jetën e diktatorit të famshëm rus, Joseph Stalinit. Megjithatë, duket se ky film nuk i ka pëlqyer aspak popullit rus.

Pas shfaqjes së tij në një sallë kinemaje të rezervuar vetëm për personalitetet e larta të shtetit rus, ai u kundërshtua ashpër nga këta të fundit, të cilët nuk e pëlqyen aspak satirën e regjisorit Armando Iannucci, sipas BBC-së.

Pas kësaj ndodhie, autoritetet vendase e kanë ndaluar shfaqjen e këtij filmi në kinematë e vendit. Spektatorët u ankuan se filmi përmbante aspekte të luftës ideologjike dhe ekstremizëm, duke rezultuar në heqjen e liçencës së shpërndarjes së filmit dhe anullimin e shfaqjeve që ishin skeduluar në kinema.

Ministria e Kulturës ruse deklaroi për agjencinë Interfax se “Vendimi nëse filmi do të shfaqet në të ardhmen në Rusi, do të merret më vonë”. Filmi i Iannuccit është një satirë për luftën për pushtet në Moskë, që pasoi vdekjen e Stalinit në 1953-shin. Si rezultat, shumë prej personazheve kryesore janë figura historike reale.

Gjatë premierës së këtij filmi në Britani, që u shfaq në tetor të 2017, morën pjesë anëtarë të parlamentit britanik dhe disa përfaqësues të industrisë kinematografike ruse. Shumë prej tyre u pezmatuan nga ajo që panë, me politikanen Yelena Drapeko që tha se kurrë më parë nuk kishte parë diçka kaq të shpifur.

Vajza e Marshallit Zhukov që drejtoi betejën e Stalingradit në 1943-shin, u ankua se filmi parodizonte historinë e vendit dhe denigronte kujtimin e qytetarëve rusë që luftuan kundër nazistëve.

Trailer i filmit:

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).