Art & Kulturë

Kleriku shqiptar Sulejman Rexhepi dekorohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nderuar ditën e djeshme, klerikun e famshëm shqiptar Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, që është kreu i Bashkisë Islame në Maqedoni, me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.               

Motivacioni për dekorimin e këtij kleriku ka qenë: “Për meritat e tij në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Në vlerësim të mbrojtjes së interesave dhe jetës fetare islame mes shqiptarëve, të kujdesit për zhvillimin e shkollimit, të institucioneve fetare në frymën kombëtare, si dhe përpjekjeve për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit intelektual e bashkëkohor shqiptar”.

Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm klerikë e drejtues të lartë të bashkësive fetare në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, si: Kardinali Ernest Simoni, Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko dhe intelektualë e personalitete të ndryshëm.

Kontributi i Sulejman Rexhepit nis me përpjekjet e tij që çuan në zyrtarizimin e gjuhës shqipe më 1991, në Institucionet e Bashkisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë, ai u bë një nga nënshkruesit e grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës. Organizata që ai drejtoi u kthye në strehën kryesorë që mirëpriti refugjatët kosovarë gjatë viteve 1998-1999.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).