Ambasada Italiane në Tiranë, në bashkëpunim me Italian Trade Agency (ITA), Institutin Italian të Kulturës dhe Konsullatën e Përgjithshme në Vlorë, kanë kënaqësinë të lançojnë edicionin e VII të Javës së Kuzhinës Italiane në Shqipëri, që do të mbahet nga 14 deri më 20 nëntor 2022. Fushata vjetore ka për qëllim promovimin e traditave kulinare italiane në botë. Sektori agroushqimor i cili ka qenë gjithmonë një nga pikat e forta të Italisë, është padyshim një nga sektorët nga ku mund të rifillohet pas pandemisë, duke promovuar përsosmëritë e vendit dhe duke vlerësuar produktet Made in Italy si sinonim i cilësisë e sigurisë.
Gjallëri, qëndrueshmëri dhe risi: përbërësit e kuzhinës italiane për shëndetin e njerëzve dhe mbrojtjen e Planetit, kjo është tema për vitin 2022. Shqipëria do të marrë pjesë në Javën e Kuzhinës Italiane me nisma kushtuar thellimit të koncepteve të qëndrueshmërisë, cilësisë, teknologjive dhe inovacionit, gjithmonë duke respektuar traditën dhe identitetin e territorit.
Në kuadër të këtij projekti, ITA do të organizojë një Masterclass mbi Mixology më datë 14 nëntor në Tiranë, drejtuar kryesisht importuesve dhe operatorëve të sektorit ho.re.ca, me qëllim thellimin e njohurive mbi Made in Italy dhe Italian Lifestyle, për të promovuar kulturën italiane të aperitivit ndaj konsumatorit final.
Përgjatë kësaj jave do të organizohet dhe Aperitivo in Jazz. Bëhet fjalë për një vitrinë të jashtëzakonshme për promovimin e stilit të jetesës, kulturës dhe ekselencës italiane, ku lokalet e Tiranës, konkretisht Arena, Destil dhe Izzy Living, do të propozojnë një menu tipike italiane, me degustime të aperitivëve të ndryshëm Made in Italy, me shoqërim muzikor nga grupi italian No Trio For Cats.
Për më shumë informacione mund të vizitoni rrjetet tona sociale:
Facebook: https://www.facebook.com/iceagenziaalbania/
Twitter: https://twitter.com/itatirana