Art & Kulturë

Inva Mula, drejtore artistike në Festivalin e 57-të

Organizatorët e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, prezantuan dje formulën e edicionit të 57- të. Përveç emrave të njohur të skenës, që i rikthehen këtij festivali, një vlerë e shtuar këtë herë është edhe drejtimi artistik, i cili i është besuar sopranos Inva Mula.

Organizatorët kanë menduar që këngët të prezantohen vetëm gjatë netëve të Festivalit. Janë 22 këngë të cilat do të vijnë në variantin për Festival natën e parë dhe natën e dytë në një tjetër variant, pa Orkestër Simfonike, por më pranë skenës së “Eurosong”- ut. “Kemi dy variante, variantin tradicional, klasik, që nuk duhet të humbë asnjëherë, se është vërtet shumë i bukur dhe ka një vulë historike, që duhet ta mbajmë fort dhe variantin ‘ndryshe’, që është ai performancës dhe i Eurosongut.

Në natën e tretë ne rivijmë me variantin e parë, por në këtë rast ne kemi mundësinë që publiku t’i dëgjojë këngët tre herë”, tha Mula. Sa i takon votimit, këngët do të gjykohen nga një juri profesionale dhe nga një juri të rinjsh, prej të cilëve do të kuptohen edhe shijet e brezit të ri. Festivali do të zhvillohet në datat 20,21, 22 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).